Kthyer tashmë në një traditë, ky festival është shndërruar në promotorin e vlerave autentike kulturoro-artistiko-gastronomike shqiptare së pari, dhe së dyti në përçuesin e vlerave qytetare pogradecare në Ballkan dhe më gjerë.
Pogradeci ka qenë dhe do të mbetet Porta e Hapur për të gjithë artistët ballkanas, duke u mundësuar këtyre të fundit jo vetëm surprizat në gjirin e natyrës, por edhe shkëmbimin kulturor, bazë për krijimin e urave të miqësisë, mirëkuptimit dhe respektit reciprok.
Festivali promovon krijimtarinë dhe realizimet më të mira të viteve të fundit në fushën e kinematografisë. Ky festival bën të mundur shkëmbimin e kulturave ballkanike dhe pasurimin e jetës kulturore artistike të qytetit të Pogradecit.; Po ashtu ky mund të jetë pikënisja për një bashkëprodhim të mundshëm midis Shqipërisë e vendeve të tjera ashtu si ka ndodhur vitet e fundit midis Kosovës, Greqisë, Turqisë. Përgjatë 5 ditëve shfaqen rreth 50 filma të shkurtër e te gjatë, të animuar e dokumentarë.
Ka një fokus më të theksuar tek filmi eksperimental dhe dokumentarët. Pjesëmarrësit janë të rinj nga shkolla të ndryshme të filmit. Temat e dokumentareve prekin historinë mbi minoritetet, mbi jetën e fshatit dhe sesi shihet ajo nga të rinjtë. Ndërsa filmi eksperimental ka në fokus me çështjet e ambientit, trashëgiminë, individin. Filmat e gjatë kalojnë nga komedia tek drama, problemet sociale, shqetësimet njerëzore në marrëdhënie me punën, me kolegët, me shoqërinë dhe familjen.