Vetëm 30 minuta larg nga Pogradeci, ju pret një nga mrekullitë natyrore dhe historike të rajonit – Guri i Kamjes, një shkëmb gjigant që ngrihet madhështor në majë të kodrës, në lartësinë 1461 metra mbi nivelin e detit. Me përmasa mbresëlënëse (100 m i gjatë, 80 m i gjerë dhe 70 m i lartë), ky gur duket si një anije e madhe që “lundron” mes pyllit.
Pas një ecjeje të lehtë prej 2.7 km, pasi të keni kaluar me makinë 12.7 km nga Pogradeci, do të arrini në majë dhe do të shijoni një pamje të mahnitshme panoramike mbi pellgun e liqenit të Ohrit dhe peizazhin e gjelbër përreth. Guri i Kamjës është Monument Natyre dhe një vend ideal për hiking familjar, piknik dhe fotografi të paharrueshme. Shtegu është i përshtatshëm për të gjitha moshat dhe ofron ajër të pastër dhe qetësi larg zhurmës së qytetit.
Përveç bukurisë natyrore, ky vend mbart edhe një rëndësi historike: më 28 korrik 1912, banorët vendas ngritën këtu flamurin shqiptar – katër muaj përpara shpalljes zyrtare të pavarësisë. Kjo ngjarje përkujtohet çdo vit nga komuniteti lokal me aktivitete dhe kremtime tradicionale.





