Varret monumentale në Selcën e Poshtme, monument i kategorisë së I.

Në zemër të historisë ilire, mbi faqen lindore të kodrës Gradishtë, ndodhen Varret Monumentale të Selcës së Poshtme – një thesar arkeologjik i rrallë që i përket shekujve IV–III para erës sonë.

Këto varre janë gdhendur në shkëmb dhe përfaqësojnë një nga shembujt më të bukur të arkitekturës funerare ilire. Janë zbuluar gjithsej pesë varre monumentale, të ndara në tre grupe të vendosura rreth 100 metra larg njëri-tjetrit. Katër prej tyre janë gdhendur drejtpërdrejt në faqen shkëmbore të kodrës, ndërsa i pesti është ndërtuar me qemer guri, një teknikë ndërtimi mbresëlënëse për kohën.

Varret ndodhen midis akropolit dhe lagjeve të jashtme të qytetit të lashtë të Selcës, dhe përfaqësojnë periudhën më të zhvilluar dhe të lavdishme të këtij qyteti ilir. Varret ndodhen rreth 42 km në veriperëndim të Pogradecit.

  • Rruga deri në fshatin Golik është në gjendje shumë të mirë.
  • Segmenti nga Goliku drejt Selcës së Poshtme është aktualisht në rikonstruksion dhe mund të jetë i vështirë për mjete të mëdha.
  • Këshillohet: Autobusët me më shumë se 30 pasagjerë të ndalen në fshatin Urakë, dhe udhëtimi të vijojë me minibusë ose makina të vogla.

Një destinacion ideal për adhuruesit e historisë, arkeologjisë dhe natyrës alpine. Vizitoni Selcën dhe zbuloni rrënjët ilire të Shqipërisë!

Facebook
LinkedIn
Email
X