Kalaja e Pogradecit, monument i kategorisë se I-rë, ndodhet në jugperëndim të liqenit të Ohrit, mbi qytetin e Pogradecit, në një kodër rreth 200 metra të lartë, vetëm 700 metra nga qendra e qytetit. Vendbanimi i hershëm në këtë zonë daton që në shekullin V p.l.K, fillimisht si një vendbanim i pafortifikuar. Në shekullin IV p.l.K, u ndërtuan muret mbrojtëse dhe u zhvillua një qendër e vogël qytetare, ku banorët merreshin me bujqësi, peshkim dhe zeje. Në shekullin II p.l.K, vendbanimi u shkatërrua nga një zjarr gjatë luftërave iliro-romako-maqedone.Gjatë periudhës romake, vendbanimi u rindërtua, por nuk u rrethua më me mure për shkak të paqes së gjatë që solli sundimi romak. Më vonë, në shekullin IV m.Kr, me fillimin e dyndjeve barbare, u ndërtuan sërish mure mbrojtëse mbi gjurmët e vjetra. Fortifikimi i ri qëndroi aktiv deri në shekullin IX m.Kr, kur u shkatërrua nga pushtuesit sllavë dhe më pas u braktis përfundimisht.
Tek Kalaja mund të shkohet si në këmbë, ashtu edhe me makinë. Rruga ngjitëse është e vështirë për automjete të zakonshme, ndaj këshillohet përdorimi i makinave 4×4, për turistët është një nga lokacionet më interesante pasi aty shfaqet një pamje më e plotë dhe panoramike e qytetit të Pogradecit.