Emri “Pathos” rrjedh nga greqishtja e lashtë dhe ka marrë kuptim nga zjarret që shpërthenin në rërat bituminoze të kësaj zone. Të tre vendbanimet me emrin Patos të quajtur: Patosi Fshat, Patosi i Vjetër dhe Patosi i Ri janë lidhur ngushtë me zhvillimin e industrisë së naftës.
Qyteti i ri i Patosit nisi të krijohej në Qershor të vitit 1949 dhe u pagëzua me emrin qyteti i Naftëtarëve nga puna e palodhur e inxhinierëve dhe specialistëve të thjeshtë, të cilët kanë dhënë kontributin e rëndësishëm për ekonominë e vendit. Patosi është kryeqendra e industrisë së naftës në Shqipëri.
Qyteti nuk njihet vetëm si vendburimi i naftës, por është i famshëm edhe për bujqësinë, blegtorinë e traditat. Në zonat kodrinore të Bashkisë Patos, ulliri ka një traditë të vjetër, që daton nga periudha antike. Këtë e dëshmojnë qartë me dhjetëra amphora të vajit të gjetura në gërmimet arkeologjike, të kryera në nëntokën e kësaj zone. Si një traditë e hershme, përpunimi
i vajit, deri gjatë Luftës së dytë botërore bëhej me mullinj primitivë, të cilët në gjuhën popullore quheshin “mëngra”.
Jo rastësisht ulliri dhe vreshtaria janë dy nga kulturat më të zhvilluara dhe më të përhapura në gjithë këtë zonë.
Nëntoka e arit të zi është njëkohësisht edhe burimi i pasurive natyrore, që po lulëzon çdo ditë e më shumë në kodrinat e mrekullueshme të Patosit.
Patosi ka një klimë tipike mesdhetare, me dimër të butë dhe të lagësht dhe verë të nxehtë dhe të thatë. Në dimër temperaturat mesatare shkojnë në rreth 5 gradë celcius, kurse në verë variojnë nga 28 në 35 gradë celcius. Rreshjet bien kryesisht në
formë shiu, kurse dëbora është dukuri e rrallë.
Patosi shfaq shumëllojshmëri vlerash historike, natyrore dhe të trashëgimisë të Shqipërisë, ky qytet i vogël, por mjaft tërheqës, mbart thesare në brendësi të tij. Sot Patosi është gati për t’u eksploruar nga vizitorë vendas edhe të huaj.







