Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Znj.Çela mori pjesë në aktivitetin “Dialogu Kombëtar mbi gratë në turizëm” organizuar nga UN Women Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Në fjalën e mbajtur në panelin e parë të diskutimit, znj.Çela theksoi se megjithëse Shqipëria nuk ka një traditë të gjatë në turizëm, sidomos në atë elitar, mikpritja është brandi i pandryshuar i saj; marka e saj më e fortë, një vlerë që i ka rrënjët më të thella se në këto vite të bumit turistik.
“Që nga koha e Lord Bajronit dhe Edith Durham-it”, gruaja shqiptare ka qenë pjesë e pandashme e këtij identiteti mikpritës dhe e historisë që bota njeh për Shqipërinë. Sot, fuqizimi i grave në turizëm po e transformon fytyrën e vendit- ato po krijojnë vlera, identitet dhe zhvillim në çdo cep të Shqipërisë, nga bujtinat e veriut deri te agroturizmat e jugut”, u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e AKT-së.
Në këtë aktivitet u prezantua një vlerësim kombëtar për gratë në sektorin e turizmit përmes “Udhëzuesit të Sigurisë për Gratë e Huaja Udhëtare”, një nismë e çmuar e zhvilluar nga UN Women Albania në bashkëpunim me eksperten kombëtare znj. Blerina Ago.
Eventi shënoi një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sektori turistik më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, ku roli i gruas zë vendin që meriton si faktor zhvillimi ekonomik, social dhe kulturor.