Vlora, qyteti bregdetar me tradita të pasura kulinarie, do të mirëpresë për herë të parë Panairin e Gastronomisë Detare më 27 dhe 28 Qershor, një event që vjen si një festë e shijes, freskisë dhe pasionit për kuzhinën nga deti.
Ky panair synon të afrojë publikun me trashëgiminë gastronomike të rajonit bregdetar, duke vënë në qendër të vëmendjes prodhimet e freskëta detare dhe mjeshtërinë e kuzhinierëve lokalë.
Gjatë dy ditëve të eventit, vizitorët do të kenë mundësinë të:
Degustojnë gatime autentike detare, të përgatitura nga kuzhinierë të njohur;
Shijojnë produkte të freskëta nga deti, të sjella drejtpërdrejt nga peshkatarët e zonës;
Njihen me traditat kulinare, teknikat e përgatitjes dhe historinë pas recetave të trashëguara brez pas brezi;
Takohen me profesionistët e gastronomisë.
Më shumë sesa thjesht një panair
Panairi i Gastronomisë Detare është konceptuar si një event ku shija ndërthuret me kulturën, turizmin dhe ekonominë lokale. Ai vjen në një moment kur gastronomia shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje, si një pasuri kombëtare që meriton të promovohet dhe mbështetet.
Qytetarë, turistë, profesionistë të gastronomisë apo thjesht dashamirës të shijes janë të ftuar në këtë aktivitet që premton të jetë një pikëtakim i shijes dhe traditës, në zemër të bregdetit shqiptar.
Vendi: Vlora
Datat: 27 – 28 Qershor
Hyrja: E hapur për të gjithë