Shqipëria do të kthehet në epiqendër të promovimit të turizmit evropian në datat 5-9 prill kur në Tiranë do të nisë Java Shqiptare e Turizmit.
Java Shqiptare e Turizmit do të nisë me Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Tiranë “ITFT 2024” që do të çelet pranë sheshit “Italia” më 5 – 6 prill,dhe do të kulmojë me mbajtjen për herë të parë në kryeqytet, të Takimit të 70 të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit.
Ky panair, event i Kalendarit Kombëtar të Turizmit TEA, është një ngjarje e bukur për turizmin shqiptar pasi do të përfshijë emra të njohur të fushës si dhe do të na njohë me ngjarjet dhe risitë e sektorit të turizmit.
Gjatë dy ditëve ky panair përmbledh një program të dedikuar B2B me blerës profesionistë nga Danimarka, Polonia, Greqia, Italia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Austria dhe jo vetëm, të interesuar për të blerë destinacionet turistike të Shqipërisë dhe rajon për MICE, për pushime dhe turizëm mjekësor.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet inovacionit dhe zhvillimeve të kësaj industrie, ku profesionistë ekspertë dhe kompani nga e gjithë bota do të bëhen bashkë për të ndarë ide dhe projekte për të ardhmen e turizmit.
Në këtë panair, vizitorët do të kenë mundësinë të eksplorojnë destinacione të reja, oferta tërheqëse turistike dhe të njohin trendet më të fundit të sektorit.
”Panairi Ndërkombëtar i Turizmit Tirana 2024”, organizohet nga kompania Expocity Albania me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.