Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana çela priti në një takim kortezie ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Znjsh. Galit Peleg, me të cilën ndanë bindjen mbi potencialin e pritjes së më shumë turistëve izraelitë në Shqipëri gjatë vitit 2024, përmes reklamimit të Shqipërisë në rrjetet sociale.
Ambasadorja Peleg theksoi se qytetarët e vendit të saj kanë shumë dëshirë të vijnë për të pushuar me familjet e tyre në Shqipëri pasi e shohin Shqipërinë si një vend të sigurt për të sjellë familjet e tyre.
Gjithashtu zonja Peleg shprehu interesin e lartë të turoperatorëve izraelitë për të njohur Shqipërinë si destinacion turistik lider në Evropën Juglindore, me qëllimin për ta kthyer vendin tonë në destinacionin kryesor të pushimeve për qytetarët izraelitë.
Gjatë bisedës u shkëmbyen ide për brandimin e Shqipërisë turistike përmes natyrës unike, bukurive të bregdetit, monumenteve të trashëgimisë kulturore si dhe vlerave të tolerancës e bashkëjetesës qytetare, aq të vyera për kulturën shqiptare.