Samiti i Diasporës, ide dhe kontribute në promovimin e turizmit shqiptar

Në panelin e Samitit të tretë të Diasporës, me temë, “Dinamikat e Turizmit të Shqipërisë: Rrugëtimi i sfidave dhe mundësive të komunitetit të diasporës për rritjen e markës dhe ekonomisë turistike në Shqipëri”, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela ndër të tjera theksoi se suksesi i Shqipërisë në turizëm është edhe efekti i një filozofie promovuese të qeverisë, që i vendosi të gjitha eventet kulturore, sportive, diplomatike, në një kalendar të vetëm të eventeve kombëtare të turizmit. Aplikacioni i këtij kalendari, TEA,ka qenë kryefjala e këtij sezoni veror. “Ne duam ta markojmë Shqipërinë si një destinacion turistik përmes trashëgimisë kulturore dhe eventeve multiart”, u shpreh drejtoresha Çela.

Në fjalën e saj, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shprehu mirënjohjen për shqiptarët e suksesshëm të diasporës, të cilët u bënë ambasadorët më të mirë të promovimit të Shqipërisë Turistike nëpër botë. “Në gjithë këtë ngrehinë të transformuar të Shqipërisë Turistike, guri më i qëndrueshëm është ai i shqiptarëve të diasporës, nga të cilët Shqipëria mblodhi modelet më të mira në ide, në shembuj investimi e eksperiencash duke krijuar një sinergji të mirë mes dy palëve, që është në ditët më të begata të saj. Përmes një kontrate të nënshkruar në heshtje, por me buzëqeshje të sinqertë dhe shqiptarët e Diasporës janë pa asnjë mëdyshje “agjencia” më e suksesshme për promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë sepse s’ka slogan marketing, që përshkruan një vend më bukur se ç’e rrëfejnë “sytë e zemrës””, nënvizoi ministrja Kumbaro.

Në panelin kushtuar turizmit merrnin pjesë shqiptarë të suksesshëm të ardhur nga vende të ndryshme, ndër të cilët Jonela Hoxhaj nga Gjermania, gazetari Arbër Agalliu nga Italia, Aina Hoti nga Zvicra, Gëzim Olaj i rikthyer nga Anglia dhe investues i strukturës së njohur hoteliere në fshatin turistik malor Bogë, Gladiola Dona, eksperte në shërbimin e hotelerisë dhe Nikolin Kola në promovimin e produkteve më të mira shqiptare.

Share