Për herë të parë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantuan Kalendarin Kombëtar të Eventeve të Turizmit, përmes aplikacionit TEA (Tourism Events of Albania), një nga risitë teknologjike të këtij viti për turizmin kulturor shqiptar.
Në çelje të eventit, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj. Zana Çela u shpreh se TEA e ndarë në shumë kategori, do të sjellë Shqipërinë turistike të kulturës, agroturizmit dhe kulinarisë, të festave lokale e festivaleve folklorike e atë të muzikës moderne, duke bërë që Shqipëria e eventeve të bukura të mos qëndrojë jashtë zhvillimeve të botës digjitale.
“Kemi mbledhur në çdo cep të Shqipërisë mbi 1 mijë e 100 evente që nga festat tradicionale të fshatrave malore e bregdetare deri te festat muzikore, festivalet ndërkombëtare në qytetet apo kryeqendrën e vendit Tiranën, duke krijuar një databazë të fuqishme. Më pas strukturuam formatet e eventeve që i përshtaten audiencave turistike. Krijimi i kalendarit dhe aplikacionit TEA do të na japë mundësinë që ne të krijojmë një tregim digjital rreth markës sonë dhe do të ndihmojë turistët në çdo cep të globit që të krijojnë një marrëdhënie më të thellë emocionale dhe të paharrueshme me Shqipërinë”, – theksoi në fjalën e saj drejtoresha e AKT-së.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Mirela Kumbaro tha se vendit tonë i ka munguar një menu e plotë e Shqipërisë turistike, e festave dhe ngjarjeve të vërteta kulturore, që nuk duhen humbur.
“Ja ku jemi sot me një organizim shumë më të mirë të orkestruar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, dhe unë dua ta falenderoj Zanën për këtë punë të jashtëzakonshme prej milongone që ka bërë bashkë me stafin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe të Agjencisë, punë prej muajsh dhe me të gjitha bashkitë, me të gjitha organizatat e artit, ambasadat, kompanitë private dhe me Ministrinë e Kulturës, me të cilën po bashkojmë forcat për të ndërtuar Kalendarin Kombëtar Turistik të Eventeve”, – u shpreh ministrja Kumbaro.
Për Kryeministrin Z. Edi Rama, aplikacioni TEA do të çojë në një nivel më të lartë prezantimin e Shqipërisë turistike në botë.
“Ne besojmë shumë që Shqipëria turistike është përtej ujërave të mrekullueshëm të detit, përtej majave magjike të maleve, përtej luginave dhe bukurive natyrore në tërësi dhe arsyet për ta vizituar Shqipërinë turistike janë shumë më tepër sesa kaq, e prandaj bashkimi në ofertën tonë turistike, i trashëgimisë kulturore, i kulturës, i artit, i gatimit dhe i të gjitha llojeve të aktiviteteve tradicionale folklorike apo edhe aktiviteteve më bashkëkohore, janë një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur kapacitetin që Shqipëria ka në thithjen e turistëve nga e gjithë bota”, – theksoi kryeministri.
Në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit morën pjesë personalitete të shumta, përfshi Kryeministrin Z. Edi Rama, Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Mirela Kumbaro, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të Bashkive, Shoqatave dhe Federatës së Turizmit, agroturizmit, bankave, hotelerive dhe drejtues të mediave e gazetarë.
TEA është kalendari digjital, i cili ofrohet përmes një aplikacioni miqësor për çdo përdorues brenda Shqipërisë dhe anembanë botës duke na dhënë mundësinë të gjithëve që për të parën herë të krijojmë paketa të turizmit kulturor dhe të udhëtojmë nëpër kulturën, trashëgiminë, artet, sportet dhe kulinarinë e pasur të Shqipërisë.
Me TEA-n, vizitorët vendas dhe turistët e huaj mund të mund të eksplorojnë Kalendarin Kombëtar të Eventeve të Turizmit dhe të shënojnë aktivitetet e preferuara, sipas grupmoshës dhe vendndodhjes, duke u bërë pjesë e skenës së madhe kulturore e turistike të Shqipërisë.
Shkarko TEA falas në telefon dhe nis udhëtimin tënd në Shqipëri!