Mbrojtja e Natyrës – Miratohet vendimi për anëtarësimin e Shqipërisë në Unionin Ndërkombëtar

Në mbledhjen e fundit të qeverisë u diskutua marrëveshja për anëtarësimin e Shqipërisë në IUCN-Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, e cila më pas do t’i kalojë Kuvendit.

Lajmin e bëri publik gjatë një komunikimi për mediat, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila u shpreh se “Për të parën herë Shqipëria bëhet anëtare si shtet, që i jep të drejta më të plota brenda organizatës, por sidomos na siguron shkëmbimin qoftë në vendimmarrje të kësaj organizate në nivel botëror si dhe mundësinë për shkëmbime përvojash më të mira në atë që ne tashmë e kemi caktuar si prioritet: zhvillimin e qëndrueshëm në mbrojtje të mjedisit, mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura dhe kthimin e tyre jo vetëm në vlerat e ekosistemit, por sidomos edhe në destiancione turistike natyrore që na sigurojnë një shtrirje të sezonit turistik përtej atij veror, por edhe një shtrirje në territor”.

Sipas ministres Kumbaro, ky është një angazhim në një nivel më të lartë të premtimeve dhe punës së qeverisë shqiptare në atë që e ka konsideruar prioritet: mjedisin dhe zonat e mbrojtura. Në këtë kontekst ajo solli në vëmendje punën për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, që tashmë është në fazën e dytë të punës për planin e menaxhuar të zonës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit theksoi se të gjithë këto premtime shkojnë paralel edhe me angazhimet e Shqipërisë në planin ndërkombëtar për ndryshimet klimatike, duke nënvizuar se Shqipëria do të marrë pjesë në samitin e liderëve për ndryshimet klimatike COP28, që do të mbahet në 1 dhjetor në Dubai.

Share