Të dashur miq të medias,
Faleminderit për prezencën tuaj në këtë konferencë, e cila do të prezantojë një tjetër event ndërkombëtar të promovimit të turizmit tonë.
Në një treg global, por dhe rajonal tejet konkurrues, ne na duhet një promovim efektiv i turizmit që kërkon kreativitet dhe inovacion.
Agjencia Kombëtare e Turizmit institucioni përgjegjës për promovimin e turizmit, veçanërisht jashtë vendit, ka eksploruar gjithmonë metoda dhe mënyra të reja digjitale.
Pasi krijuam aplikacionin TEA, një aplikacion që tashmë është kthyer në një udhërrëfyes 360° digjital, që ofron informacion për destinacionet natyrore, sitet kulturore, ngjarje kulturore dhe sportive, menjëherë erdhi një tjetër promovim inovativ me përmbajtje që krijohet nga vetë turistët dhe udhëtarët. Pra menduam të nxisnim emocionet dhe krijimtarinë e tyre, të gjithë atyre që kishin eksploruar anembanë Shqipërinë tonë turistike. Lindi kjo ide promovuese si një kompeticion pasi me besojmë se vetëm një konkurs ndërkombëtar çliron emocionet dhe energjitë kreative të të gjithë atyre që kanë eksploruar dhe shijuar Shqipërinë tonë turistike. Lindi Wanderlust in Albania, që në fakt është një promovim përmes një tregimi autentik, tregimit të vetë vizitorëve.
Sot ne njoftojmë hapjen e edicionit të dytë të këtij konkursi i cili ashtu si vjet përbëhet nga 11 kategori. E reja e këtij viti është se kemi vendosur të sjellim kategorinë CGI, e cila na mundëson të eksplorojmë në mënyra të reja, digjitale dhe inovative, gjithë historinë e Shqipërisë tonë turistike.
Edhe këtë vit, konkursi do të përfshijë kategorinë e peisazhit (natyrore, malore, bregdetare), foto panoramike (qytetet e Shqipërisë, fshatrat turistike), monumente dhe site arkeologjike (monumente kulture, kala, amfiteatra, muze dhe site UNESCO), folklori (etnografi, valle, rituale, tradita), artizanati dhe zejtaria, agroturizëm dhe kulinari (ushqime tradicionale, bujtina, agroturizëm), eventet e aplikacionit TEA, fotoreportazh, etj.
Këto janë kategoritë që mund të merrni pjesë:
- Peizazhe (natyrore, malore, bregdetare);
- Foto panoramike (qytetet e Shqipërisë, fshatrat turistike);
- Monumente dhe Site Arkeologjike (monumente kulture, kala, amfiteatra, muze dhe site UNESCO);
- Folklori (etnografi, valle, rituale, tradita);
- Artizanati dhe Zejtaria;
- Agroturizëm dhe Kulinari (ushqime tradicionale, bujtina, agroturizëm);
- Eventet e aplikacionit TEA (festivale, festa lokale, koncerte, ekspozita etj.);
- Ekoturizmi dhe Turizmi Sportiv (flora & fauna, shtigje, parqe, hiking, zhytje, alpinizëm, kajak, parashutizëm);
- Arkitektura (xhami, kisha, arkitekturë mesjetare dhe urbane);
- Foto-reportazh (foto lajme, që rrëfejnë ngjarje nga jeta e përditshme);
- Video 3D Animation (CGI – Animacion 3D).
Ne sot hapim thirrjen për pjesëmarrje të të gjithë atyre që kanë eksploruar përgjatë një harku kohor dyvjeçar bukuritëm e trashëgimisë kulturore, e natyrës së bukur të Shqipërisë.
Nga data 21 mars deri më 4 prill, të gjithë ata që kanë seleksionuar fotot dhe video reels e bërë përgjatë dy viteve të fundit, t’i dërgojnë në faqen https://www.wanderlustinalbania.al/.
Konkursi do të jetë i hapur përgjatë 15 ditëve dhe më pas një juri ndërkombëtare do të seleksionojë 300 fotot më të mira dhe 100 video reels më të mira. Kujtojmë se vjet konkursi edhe pse qëndroi i hapur 10 ditë pati një përfshirje globale, ku morën pjesë konkurentë nga 42 shtete të botës madje edhe nga vendet e largëta si Kina, India, Australia, Europa.
Mendojmë se dhe ky konkurs do të jetë po aq i suksesshëm sa edicioni i kaluar.
Konkursi do të jetë i hapur për 15 ditë, pa pas juria do të seleksionojë 40 fituesit e edicionit të dytë të Wanderlust in Albania.
Pra kemi shumë çmime për të shpërndarë. Njëkohësisht përveç çmimeve të jurisë, edhe publiku do të votojë përmes rrjeteve sociale për fituesin e tyre, fotografinë më të bukur apo video reels më të bukur. Më datë 24 prill 2025, përmes një mbrëmje Gala në Pallatin e Brigadave, do të ftojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe përmes një feste do të celebrojmë fituesit e këtij konkursi.
Ndaj të dashur miq kudo që jeni ju ftoj të beheni pjesë e konkursit Wanderlust in Albania për të qenë të gjithë së bashku kontributor në promovimin e Shqipërisë turistike, që tashmë është kthyer në një destinacion autentik dhe tërheqës jo vetëm për rajonin, por edhe globalisht.
Fituesit do të shpërblehen me çmime dhe tituj të rëndësishëm:
33 fitues për 11 kategori do të shpallen “Kontributues të Promovimit të Turizmit të Shqipërisë”.
4 fitues do të nderohen me titullin “Ambasadorë të Turizmit Shqiptar”.
Po ashtu, nga votimi online i publikut, do të përzgjidhen 3 fitues që do të shpërblehen me çmime të veçanta.
Ftoj të gjithë të merrni pjesë në Konkursin Wanderlust in Albania. Kjo është mundësia juaj për të ndarë përvojat tuaja unike dhe për të kontribuar në promovimin e Shqipërisë, një vend ku bukuritë natyrore, kultura, historia dhe aventura bashkohen në çdo cep të saj. Edhe në këtë edicion të dytë, jemi të bindur se fotot dhe video reels të dërguara nga pjesëmarrësit dhe vizitorët anë e mbanë globit, do të na shfaqin përsëri një tregim të pafiltruar e të dokumentuar vizualisht, të Shqipërisë sonë turistike.
Faleminderit dhe mirëpresim pjesëmarrjen tuaj!