Fjala e Drejtoreshës së Përgjithshme Zana Çela në shpalljen e fituesve të “Wanderlust in Albania”

E nderuar Znj. Ministre e Turizmit dhe Mjedisit, 

Të nderuar ambasadorë, 

Të nderuar miq pjesëmarrës, 

Mirëseerdhët në “Wanderlust in Albania” Konkursi i Parë Ndërkombëtar i Fotove dhe Videove Reels organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit. 

Mbrëmja e sotme shënon një rast të rëndësishëm, sepse teksa jemi mbledhur për të prezantuar fituesit e këtij konkursi vizual, njëkohësisht ne celebrojmë suksesin e Shqipërisë turistike, përmes objektivit, të atyre që dinë të eksplorojnë mrekullitë e vendit tonë. 

Në një botë ku statistikat dhe deklaratat zyrtare mund të shihen me skepticizëm, – këtë herë menduam të promovojmë Shqipërinë turistike përmes tregimtarëve më autentikë, – vetë vizitorëve. Nëpërmjet fotove dhe videove reels të dërguara nga këta vizitorë anë e mbanë globit, sonte ne do të shfaqim një tregim të pafiltruar, të dokumentuar vizualisht të Shqipërisë sonë Turistike. 

Objektivët e kamerave do të jenë dëshmitarë, turistët rrëfimtarë dhe bukuria e Shqipërisë protagonistja e pamohueshme e këtij tregimi vizual magjepsës. 

U deshën vetëm dhjetë ditë që të vërshonin mijëra foto dhe video reels nga 41 vende të botës, nga cepat e globit deri në zemër të Europës, rajonit, që nga Kina, India, Australia, Japonia, Jordania, Kolumbia, Emiratet e Bashkuara, Filipinet, ishujt Mauritius. 

Të gjitha janë mbledhur në faqen “Wanderlust in Albania”, prej ku Juria Ndërkombëtare e konkursit përzgjodhi 300 fotot dhe 100 videot reels më të mira. Imazhet e tyre na shoqërojnë gjithë kohës sonte, të shohim cilat do të marrin çmime. 

Share