Sezoni veror 2023, viti i standardeve të reja të Shqipërisë turistike

Në takimin ndërinstitucional për përmbledhjen vjetore të sezonit turistik veror 2023, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Mirela Kumbaro u shpreh se teksa flukset turistike vijojnë ende në të gjithë vendin, statistikat e MTM-së flasin për një rekord vizitorësh të huaj në Shqipëri gjatë muajit shtator plot 1.1 milionë vizitorë të huaj.

Ministrja Kumbaro nënvizoi se “Viti 2023 ishte më i mbari ndonjëherë për nga flukset e të ardhurave në ekonomi dhe të turistëve të huaj. 8,3 milionë vizitorë të huaj e kanë frekuentuar Shqipërinë deri në shtator, duke na bërë pjesë të padiskutueshme të hartës turistike mesdhetare, ama duke na e shtuar shumëfish përgjegjësinë e një organizimi më të mirë për vitin e ardhshëm, puna për të cilin ka filluar”, – u shpreh ministrja e Turizmit.

Gjithashtu në këtë takim në prani të kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve të qeverisë e kryebashkiakëve të vendit, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional gjatë muajve të pikut të sezonit veror me prefektët, sektorin privat, si motorri i zhvillimit turistik dhe shumë partnerë të tjerë.

Në këtë përmbledhje vjetore, sezoni veror 2023 u cilësua si sezoni më i mirë që ka arritur Shqipëria deri më tani, duke vendosur edhe standarde të reja në pastërti, siguri dhe mbi të gjitha në koordinimin e gjithë institucioneve shqiptare.

Share