2024 – Ministrja Kumbaro prezanton buxhetin për Turizmin dhe Mjedisin

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro prezantoi në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin projektbuxhetin për vitin 2024, i cili vjen me një rritje totale prej 35%, si rezultat i rritjes së fondit për promovimin e turizmit dhe integrimin e programit të ri të menaxhimit të mbetjeve.

Zonja Kumbaro prezantoi me detaje buxhetin duke ruajtur kufijtë e parashikuar, në pesë programe buxhetore, të cilat përmblidhen në Planifikim, Menaxhim, Administrim, Mbrojtje të Mjedisit, Administrim të Pyjeve, Zhvillim të Turizmit dhe Menaxhim të Mbetjeve.

Sa i takon turizmit, rritja e buxhetit në total me 300 milionë lekë vjen për të mbështetur pjesëmarrjen e Shqipërisë në panaire prestigjoze si ai i FITUR Madrid dhe ITB Berlin, organizimin në Tiranë të mbledhjes së 70 të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit, organizimin në Shqipëri të konventës së Konfederatës Franceze të Ndërmarrjeve të Udhëtimit “Les Entreprises du Voyage”, si edhe Kalendarin Kombëtar të Eventeve Turistike, i ardhur nën aplikacionin TEA.

“Vetëm në pak muaj, TEA, aplikacioni që mbart brenda vetes Kalendarin e Eventeve Turistike në çdo bashki, është instaluar 25 mijë herë nga vizitorët dhe pushuesit, një shenjë, që na shton energjinë për ta përmirësuar gjatë vitit 2024 duke e kthyer në një instrument afatgjatë të promovimit të eventeve turistike”, tha ndër të tjera ministrja Kumbaro.

Ajo nënvizoi se përmes operacionit “Plazhe të pastra” do të mbështeten në vitin 2024 edhe bashkitë Lezhë dhe Shkodër, krahas Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Vlorës, Himarës e Sarandës, duke plotësuar kështu të gjithë vijën bregdetare me forca të shtuara pastrimi përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Vëmendje të veçantë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, i dedikoi edhe Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, duke vlerësuar se “Është një akt guximtar, që e bëri Shqipërinë përfaqësuese të një modeli të bukur dhe të qëndrueshëm. Tani, sërish në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar po punohet për: Planin e Menaxhimit të integruar të Parkut, si dhe për projektin e Qendrës së re të vizitorëve në Parkun Kombëtar të Vjosës”, theksoi Kumbaro.

Buxheti i aprovuar në zërin e investime i hap rrugë edhe investimit në reabilitimin e “Ngritjes së Infrastukturës Turistike, me theks tek ajo ujore Eco-Park Ulza, i cili ka filluar procesin e prokurimit këtë vit për ta kthyer këtë zonë, në një hapësirë atraktive për zhvillimin e turizmit me një vlerë investimi për vitin 2024 prej 200,6 milion lekë.

Së fundi, ministrja Kumbaro përmendi edhe buxhetin e dedikuar prej 172 milionë lekë për nismën “Viti i Pyjeve” gjatë 2024-ës, ku ajo nënvizoi se “Nismë shumë të rëndësishme që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve po punojnë, shpalljen e vitit 2024 si “Viti i Pyjeve” për të cilën kemi parashikuar një investim prej 172 milion lekë”.

Sipas ministres Kumbaro, viti 2024 do të jetë një vit i vënies në jetë të synimit të ripyllëzimit dhe rritjes në nivel kombëtar të ndërgjegjësimit për rëndësinë e pyjeve.

Ministrja Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj deklaroi se po punohet për strategjinë e re të turizmit 2024-2030.

 

Share