test

Misioni

Agjencia Kombëtare e Turizmit (AKT) është institucion publik, me statusin e personit juridik, publik, buxhetor dhe funksionon në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Si institucion, për herë të parë u themelua në vitin 2005 nën emrin “Zyra Shqiptare e Turizmit”, dhe më vonë, në bazë të Ligjit nr. 9734, datë 14/05/2007, mori emrin Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Agjencia Kombëtare e Turizmit ushtron veprimtarinë e saj në mbështetje dhe në zbatim të Kushtetutës, të ligjit nr. 93/ 2015, “Për turizmin”, VKM nr. 298, datë 20.04.2016 dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi. AKT-ja ka selinë në Tiranë dhe vulën e vet në formë rrethore ku përcaktohet emërtesa ligjore e institucionit: “Republika e Shqipërisë” të Ministrisë përgjegjëse për turizmin si dhe “Agjencia Kombëtare e Turizmit”.

Funksioni kryesor i Agjencisë Kombëtare të Turizmit është promovimi i Shqipërisë si destinacion turistik brenda vendit dhe në tregun turistik ndërkombëtar.

Për krijimin e imazhit të Shqipërisë kudo nëpër botë, AKT zbaton politikat bashkëkohore të marketingut digjital në fushën e turizmit.

Në këtë kuadër, Agjencia Kombëtare e Turizmit merret me organizimin dhe menaxhimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në panaire ndërkombëtare turistike, promovimin digjital, botimin e materialeve promovuese, udhëtime fun me tur-operatorë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe grupime të medias e aktiviteteve të tjera me natyrë promovuese.

Gjithashtu detyrë e AKT-së është të ofrojë informacion për vizitorët, udhëtarët dhe turistët, për shërbimet turistike, për produktet dhe destinacionet turistike, për veprimtari e të dhëna të tjera të dobishme; të promovojë produktin dhe destinacionet turistike brenda e jashtë vendit, duke bashkëpunuar me zyrat rajonale të turizmit, pushtetin vendor dhe organizma të tjerë, që operojnë në fushën e turizmit.

Funksione të tjera të agjencisë janë promovimi i investimeve në zonat me prioritet zhvillimin e turizmit, duke bashkëpunuar me institucionet e tjera publike të nxitjes së investimeve në vend; inicion dhe nxit projekte për turizmin, sipas fushës së vet të veprimtarisë, duke marrë miratimin paraprak të ministrisë përgjegjëse për turizmin; propozon dhe harton materialet me karakter promocional, në përputhje me tendencat e tregut turistik, dhe realizon prodhimin e tyre; zbaton strategjinë kombëtare të zhvillimit të turizmit dhe strategjinë kombëtare të marketingut për sektorin e turizmit; i bën propozime ministrit për turizmin sa i përket ndryshimit të akteve ligjore e nënligjore në fushën e turizmit, duke argumentuar arsyet, që lidhen me këto propozime; po ashtu monitoron, përmirëson dhe përditëson faqen zyrtare të promocionit të turizmit shqiptar.

Gjithashtu, AKT mbledh të ardhurat, që realizohen nga marrëveshjet e qirasë, për sipërfaqet e dhëna në përdorim për zhvillimin e turizmit, dhe bën derdhjen e tyre në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi; kontrollon zbatimin dhe plotësimin e kritereve për marrëveshjet ekzistuese të qirasë dhe për marrëveshjet e zhvillimit, të lidhura me subjektet “person i stimuluar”.

Një funksion i shtuar i Agjencisë Kombëtare të Turizmit është ideimi, organizimi dhe koordinimi i Kalendarit Kombëtar të Eventeve të Turizmit Kulturor, Arteve, Trashëgimisë, Sporteve, Kulinarisë e Traditës, përmes Aplikacionit TEA (Tourism Events of Albania).

Shpërndaje
Shperndaje: