Agjencia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Japan International Cooperation Agency (JICA), e cila prej 20 vjet ndihmon dhe asiston administratën Shqiptare, organizoi me datën 2 Shtator 2010, një Seminar në sallën "Tefta Tashko Koço" në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Ky seminar është një ndër aktivitetet në kuadër të një projekti më të gjerë të iniciuar nga AKT-ja në bashkëpunim me JICA për të promovuar Turizmin Shqiptar në tregun Japonez.

Në kuadër të kësaj asistence pranë administratës së AKT-së prej dymuajsh punonte edhe Znj. Akiyama Aya, Eksperte Turizmi pranë Japan International Cooperation Agency (JICA).
Qëllimi këtij Seminari ishte përshkrimi i karakteristikave të Turistëve Japonezë, imazhin që kanë Japonezët për Ballkanin dhe industrinë e udhëtimit dhe turizmit Japonez, të gjitha këto rezultate të punimit kërkimor të zhvilluar nga ekspertja e JICA në bashkëpunim të ngushtë me specialistët e AKT-së.
Në seminar u dha një informacion rreth numrit të përgjithshëm të turistëve japonezëve që udhëtojnë jashtë vendit, si dhe karakteristikat dhe kërkesat kryesore të këtyre turistëve.
Një karakteristikë e veçantë e turistëve japonezë është dëshira e tyre për një turizëm aktiv si dhe ndjeshmëria e tyre ndaj ruajtjes dhe mirëmbajtjes së ambientit. Gjatë toureve të mundshme të planifikuar me destinacion vendin tonë, ata parashikojnë që brenda 3-4 ditëve të qëndrimit të tyre të vizitojnë 3-4 vende të ndryshme.
Disa nga të metat në promovimin e Brandit Shqipëri, në funksion të këtij fluksi të mundshëm, dhe që u verejtën në kuadër të studimit, ishin:
- Mungesa e Broshurave dhe promovimit nëpërmjet web-sit-it të turizmit në gjuhën japoneze.
- Mungesa e promovimit të orientuar dhe specifik të Shqipërisë në tregun Japonez.
Gjithashtu një prezantim më të detajuar të projektit bëri dhe Znj. Terui, e cila ishte përfaqësuese e JICa-së për Maqedoninë.